TRAJTIMI I ANKESAVE

RREGULLORE

“PËR PROCEDURAT DHE TRAJTIMIN E ANKESAVE PRANË DIGIT-ALB SH.A”

Neni 1 – Objekti i rregullores
Kjo rregullore ka për qëllim të përcaktojë rregullat dhe procedurat, si dhe trajtimin e shqyrtimin e ankesave të depozituara në adresë të shoqërisë Digit-Alb, në lidhje me pretendimet e çdo personi/individi mbi programet e transmetuara nga Digit-Alb, në lidhje me cilësinë dhe natyrën e shërbimit të ofruar.

Neni 2 – Baza ligjore
Kjo rregullore miratohet në zbatim të nenit 51, të Ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe rregullores së AMA-s “Mbi procedurat për shqyrtimin e ankesave nga Këshilli i Ankesave dhe të drejtën e përgjigjes”. Udhëzimi i AMA-s “Mbi procedurat e trajtimit të ankesave nga Ofruesit e Shërbimit Mediatik (OSHMA)”; “Rregullore mbi procedurat për trajtimin e ankesave dhe për ushtrimin e së drejtës së përgjigjes” miratuar me vendimin e AMA, me nr.181, datë 11.09.2017.

Neni 3 – Depozitimi i ankesës
Çdo person/individ i interesuar, mund të paraqesë pranë Digit-Alb një ankesë ku pretendon se nga ana e Digit-Alb nuk janë përmbushur detyrimet ligjore, apo nuk janë zbatuar kushtet e nenit 33, të Ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Neni 4 – Forma e ankesës
1. Ankesa paraqitet në format e mëposhtme:
a) Në formë shkresore, duke e depozituar në zyrën e protokollit të shoqërisë Digit-Alb në adresën: rruga “Pavarësia” nr.39, Kashar, Tiranë, Shqipëri;
b) Në rrugë elektronike në adresën info@digitalb.tv;

2. Ankesa duhet të paraqitet jo më vonë se 30 ditë nga data e transmetimit, ose kur në rastin e dy ose më shumë transmetimeve të lidhura me njëra-tjetrën, nga data e transmetimit të fundit.

3. Ankesa duhet të përmbajë:
a) gjeneralitetet e plota (emër, mbiemër) dhe kopje të dokumentit të identikimit të ankuesit;
b) adresën e ankuesit;
c) emrin e emisionit / programit për të cilin bëhet ankesa;
d) informacion mbi dëmin e shkaktuar (nëse ka ndonjë të tillë);
e) arsyet e ankesës;
f) çdo dokument tjetër që vlerësohet i rëndësishëm nga ankuesi në shërbim të qëllimit të ankesës.

Neni 5 – Shqyrtimi i ankesës
1. Digit-Alb, pas marrjes së ankesës, verifikon përmbushjen e kërkesave të përcaktuara në nenet 3 dhe 4 të kësaj rregulloreje. Në rast se ankesa nuk plotëson këto kërkesa, apo elemente të caktuara të përmendura këtu, i kthehet për plotësim ankuesit. Kërkesat anonime nuk merren në konsideratë dhe nuk shqyrtohen nga Digit-Alb.
2. Digit-Alb nuk merr në shqyrtim ankesat për çështje të cilat janë njëkohësisht në shqyrtim gjyqësor nga Gjykata, apo për të cilat është dhënë një vendim gjyqësor i formës së prerë.
3. Nëse gjatë shqyrtimit të ankesës, Digit-Alb konstaton se çështja për të cilën është paraqitur ankesë, është njëkohësisht edhe në shqyrtim nga organet e prokurorisë, e ndërpret menjëherë shqyrtimin.

Neni 6 – Procedurat dhe afatet e shqyrtimit të ankesës
1. Gjatë shqyrtimit të ankesës, Digit-Alb mund të kryejë rast pas rasti, një ose të gjitha veprimet e mëposhtme:
a) mund të kërkojë informacion shtesë nga ankuesi, të cilin (ankuesi) duhet ta depozitojë në
Digit-Alb brenda 5 ditëve kalendarike nga data e marrjes në dijeni;
b) për qëllime të sqarimit të rrethanave për çështjen e ankuar, Digit-Alb mund të organizojë takime të përbashkëta me ankuesin;
c) Digit-Alb mund të kryejë kryesisht verifikimet përkatëse pranë departamentit, apo arkivit artistik të tij;
2. Pas përfundimit të shqyrtimit të ankesës, nëse konstaton që emisioni/programi nuk ka zbatuar kërkesat e përcaktuara në ligj, Digit-Alb merr masat e nevojshme për çështjen e ankuar duke vënë në dijeni dhe ankuesin.
3. Digit-Alb shqyrton ankesën dhe njofton ankuesin brenda 15 ditëve kalendarike nga data e depozitimit të ankesës.

Neni 7 – Ruajtja e konfidencialitetit
Informacioni dhe dokumentacioni i marrë nga Digit-Alb për çështjen në shqyrtim, përdoret vetëm për qëllimet për të cilat është dhënë informacioni. Për sa i përket trajtimit të ankesave në bazë të kësaj rregulloreje, DIGITALB zbaton tërësisht dispozitat e ligjit nr.9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar.

Neni 8 – Struktura përgjegjëse
Shqyrtimi i ankesave të depozituara në Digit-Alb lidhur me pretendimet e ankuesit bëhet nga Departamenti i Programacionit, Departamenti Ligjor dhe/ose Njësia, apo Departamenti të cilit i drejtohet ankesa.
Zyra e Arkivës/Protokollit (në varësi të Departamentit Ligjor) mban në një regjistër të veçantë të dhënat mbi ankesat e depozituara duke evidentuar trajtimin dhe zgjidhjen e tyre.
Struktura e trajtimit të ankesave përbëhet nga:
Armando Husa – armando.husa@digitalb.tv me nr.cel +355 697028337 me profesion “Gazetar” dhe cilësinë e kryetarit te komisionit;
Kevin Luçi – kevin.luci@digitalb.tv me nr.cel +355 693435832, me profesion “Jurist” pranë shoqërisë Digit-Alb, pjesë e Departamentit Ligjor;
Jonida Shima – jonida.shima@digitalb.tv me nr.cel +355 682069141, me profesion “Specialist në Anglistikë-Amerikanistikë”, pranë shoqërisë Digit-Alb, pjesë e Departamentit të Programacionit.

Neni 9 – Hyrja në fuqi
Kjo rregullore hyn në fuqi menjëherë në datën e nënshkrimit të saj më datë 01.10.2022.

Digit-Alb sh.a